Cavani dhe Mbappe dhurojnë spektakël edhe pa Neymarin (Video)

42

Ka munguar Neymar, por kjo nuk ka ndikuar aspak te skuadra pariziene. PSG ka siguruar fitoren e radhës në javën e 12-të të Ligue 1, duke mundur Angers me rezultatin e thellë 5-0, edhe pse luhej në transfertë. Pritej një ndeshje e mirë nga PSG, duke parë edhe diferencën që ka me Angers. Dhe të besuarit e Unai Emery nuk kanë zhgënjyer.

Duheshin vetëm pesë minuta që Kylian Mbappe të shënonte një gol fantastik pas krosit në shtyllën e parë të Dani Alves. Mundësia pak minuta më pas e Vincent Manceau nuk ndali makinën kryeqytetasve drejt objektivit të vetëm, fitores. Në minutën e 14’ erdhi goli i dytë. Ishte sërish Dani Alves ai që përgatiti topin, këtë herë për Julian Draxler që nuk fali përballë portierit vendas.

PSG nuk e humbi përqendrimin, dhe pas një pasimi të bukur të Adrien Rabiot,  Mbappe shpërthen në të djathtën, duke pasur me thembër drejt Cavani-t i cili shënoi golin e tretë të ndeshjes dhe të 100-in në Ligue 1. Ai shënoi edhe të 101-in në minutën e 60’ pas një pasimi të Draxler, ndërsa Mbappe shënoi të dytin personal në minutën e 84’, duke ndihmuar PSG të bëjë një tjetër hap drejt titullit kampion, i cili këtë vit duket më se i sigurt.